Takime ndërgjegjësuese në Fushë-Arrëz kundër dhunës në familje

NCCS po vazhdon me zhvillimin e aktiviteteve të projektit “Munde dhunën, thyeje heshtjen”,  në kuadër të Programit “Fuqizimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri” (SCPA), i financuar nga Qeveria Suedeze. Projekti synon përmirësimin e ndërveprimit mes Policisë së Shtetit dhe aktorëve të tjerë lokalë për rritjen e cilësisë së masave parandaluese dhe shërbimeve për rastet e dhunës në familje.

Në 27 Prill, në ambjentet e Qendrës Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë u zhvillua një takim me gratë e fshatit Lumardh, Fushë-Arrëz. Trajnuesi, mjeku Nikolin Bardhoku, u prezantoi të pranishmëve projektin, donatorin, problematikën e dhunës në familje, çfarë lehtësirash ofron shteti ndaj viktimave të dhunës në familje etj. Ai u dha informacion mbi urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, urdhrin e mbrojtjes, strehimin e grave në rrezik etj.

Mjekja tjetër e pranishme në takim, Jona Musabelliu, sqaroi pjesëmarrëset se mjekët i trajtojnë rastet e dhunës me vëmendje të veçantë dhe se i raportojnë ato në polici. Gratë pjesëmarrëse në takim përcollën eksperiencën dhe mendimet e tyre mbi dhunën. Pjesëmarrëset theksuan se prindërit duhet të komunikojnë me fëmijën me dashuri, me zë normal, jo me tone të larta, kurse fëmijët nuk duhet të shikojnë filma të dhunshëm.

Pas Lumardhit aktiviteti i rradhës u zhvillua në gjimnazin e Fushë-Arrëzit, në 11 Maj, me praninë e edhe të punonjësit të policisë, Z. Arben Islami, i cili ka qenë i pranishëm në të gjitha aktivitetet e organizuara nga projekti. Z. Islami kërkoi bashkëpunimin e të rinjve në denoncimin e rasteve të dhunës në polici.

 

 

 

Fotografi nga aktivitetet

Advertisements
Posted in Uncategorized | Leave a comment

Trajnim i stafit mjekësor në Qafë-Mal, Fushë-Arrëz mbi dhunën në familje

Në 12 Prill Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare organizoi një trajnim mbi dhunën në familje me stafin mjekësor të qendrës shëndetësore Qaf-Mal, Fushë-Arrëz.

Takimi u organizua në kuadër të projektit “Munde dhunën, thyeje heshtjen”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria Suedeze në kuadër të programit “Fuqizimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”-SCPA. Ishin prezent në takim përfaqësuesja e programit SCPA, Znj. Miranda Fishka; kryetari i njësisë administrative Qafë-Mal, Fushë-Arrëz, punonjësi i policisë përgjegjës për zonën, Z. Arben Islami etj.

Pjesëmarrësit në takim u informuan mbi mekanizmat mbrojtës të viktimave të dhunës në familje, veçanërisht për urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, urdhrin e mbrojtjes; për detyrat që personeli mjekësor ka për depistimin, trajtimin e viktimave të dhunës në familje dhe raportimin e rasteve të dhunës në polici dhe bashki. U theksua se parimi i përgjithshëm i punës profesionale të stafit mjekësor është konfidencialiteti dhe ruajtja e privatësisë së pacientit, por rastet e dhunës në familje raportohen në polici kur viktima është fëmijë apo dhuna ndaj viktimës shkakton dëme fizike, dhe në shërbimin social në bashki kur dhuna është jo-fizike dhe viktima kërkon ndihmë.

 

Posted in Uncategorized | Leave a comment

Trajnim në Estoni mbi pritjen e vullnetarëve të programit EU Aid

 

 

 

 

 

NCCS po vazhdon projektin Humanitarian Volunteering Management (Drejtimi i Vullnetarëve Humanitarët), i financuar nga BE, i realizuar nën drejtimin e ADICE, Francë, në partneritet me disa shoqata të rajonit.

Në kuadër të këtij projekti stafi i NCCS-së u trajnua në Estoni mbi përgatitjen e rregulloreve të cilat rregullojnë marrëdhënien e punës të vullnetarit. NCCS planifikon të aplikojë për pritjen e vullnetarëve nga vende të tjera të BE-së. Këta do të jenë persona me kualifikime profesionale, të cilët do të mbështesin NCCS-në në ofrimin e shërbimeve për komunitetin si dhe në rritjen e kapaciteteve të stafit të saj për aplikimin për projekte dhe për realizimin e tyre.

Vizita në Estoni ishte njëkohësisht dhe një eksperiencë shkëmbimi kulturor. Organizata estoneze Mondo, prezantoi për shoqatat e tjera kulturën, historinë estoneze si dhe punën Mondo-s në sferën civile. Ngjashmërisht me Shqipërinë Estonia është një vend i vogël, i cili po ashtu ka vetëm 100 vjet që feston pavarësinë. Estonia ka përparuar shumë në fushën e teknologjisë dhe informacionit, me një numër të lartë specialistësh IT për frymë; me disa shpikje dhe inovacione në këtë fushë të ardhur nga Estonia. U larguam nga Estonia me frymëzimin se edhe Shqipëria, ndonëse e vogël, mund të lërë gjurmën e vet në historinë e përbashkët europiane.

 

Posted in Uncategorized | Leave a comment

Libër mbi prindërimin e fëmijëve 0-10 vjeç

Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare sjell sot për prindërit librin “Prindërimi Pozitiv i Fëmijëve 0-10 vjeç”.

Kur bëhemi prindër jeta jonë ndryshon rrënjësisht. Energjia, përpjekjet dhe dëshirat tona fokusohen tek fëmija dhe zhvillimi i tij. Prindërimi i mirë ndihmon zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës dhe kthimin e tij në një anëtar të dobishëm të shoqërisë. Nuk mjafton dëshira e mirë dhe përpjekjet e prindit për të rritur sa më mire një fëmijë. Prindi ka nevojë dhe për mbështetje dhe këshilla për rritjen e fëmijëve. Ai ka nevojë për mbështetjen e profesionistëve të ndryshëm si psikologu i shkollës, mjeku i familjes, infermierja e zonës, punonjës të shërbimeve sociale etj. kur has vështirësi në mirërritjen e fëmijëve. Një libër me këshilla praktike gjithashtu mund të kthehet në një mik të ngushtë për të. Ky libër ofron këshilla për mirërritjen e fëmijëve të moshës 0-10 vjeç.

Libri u hartua në kuadër të projektit “Prindërimi pozitiv për një fëmijëri të shëndetshme” në qytetin e Gjirokastrës.
Ai është pjesë e Projektit “Përfshirja e Shoqërisë Civile për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri”, që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Save the Children në partneritet me Terre des hommes në Shqipëri.

Bashkëpunuan për përgatitjen e librit Rita Strakosha, Avokate, M.P. në Psikologji Klinike; Anjeza Dervishi, Psikologe kliniciste; Ëngjëllushe Paja, pediatre; Eglantina Lula, M.A. Punë Sociale; Liliana Dango, Drejtore Ekzekutive.

Libri u recensua nga Prof. Dr. Edmond Dragoti.

Përmbajtja e këtij publikimi është nën përgjegjësinë e Qendrës Kombëtare për Shërbime Komunitare dhe këndvështrimet e autorëve jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Save the Children dhe Terre des hommes në Shqipëri.

Posted in Uncategorized | Leave a comment

Fushata #EUEducationEmpowers

BE-ja po realizon aktualisht një fushatë me titull “#EUEducationEmpowers”. Fushata e filluar në 18 Dhjetor 2017, synon qytetarë të BE-së për të shtuar ndërgjegjësimin mbi punën e BE-së në edukimin e fëmijëve të prekur nga krizat humanitare kudo në botë.

Fushata zgjat deri në Shkurt 2018 dhe synon transmetimin e filmave në kinema, transmetimin e spoteve, dhe shpërndarjen e tyre në median sociale. Mesazhi kryesor i fushatës është se arsimimi u ofron fëmijëve në situate humanitare, siguri, mundësi për të zhvilluar aftësi praktike, si dhe një ndjenjë normaliteti.

Fushata realizohet në 6 vende të BE-së: Austri, Estoni, Gjermani, Greqi dhe Irlandë. Videoja kryesore e fushatës fokusohet në kriza si ajo në Siri, dhe do të transmetohet në kinema në 6 vendet e synuara nga data 21 Dhjetor.

Komisioneri i BE-së për Ndihma Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Christos Stylianides, afirmoi dedikimin e BE-së për edukimin gjatë emergjencave, “Ne nuk mund të tolerojmë gjenerata të humbura dhe nuk duhet të lëmë që asnjë fëmijë të mbetet mbrapa.  Arsimimi shpëton jetë edhe në emergjenca. Arsimimi pajis çdo vajzë dhe djalë me aftësi për të ardhmen. Për çdo fëmijë jeta duhet të jetë si një tregim që ata vetë e mendojnë.”

Në vitet 2012 dhe 2017, BE alokoi 200 milion euro në gjithë botën për të ndihmuar arsimimin në emergjenca. Mbi 4.7 milion fëmijë në 52 vende të botës përfituan nga aktivitetet e financuara. Fondet kanë financuar edukimin jo-formal, formal, pajisjen e fëmijëve me materiale edukative, si dhe kanë mbështetur trajnimin e mësuesve dhe edukatorëve. Në vitin 2018 BE-ja do jape 8% të ndihmës së saj humanitare.

Posted in Lajme | Leave a comment

BE ofron ndihmë humanitare për viktimat e përmbytjeve në Shqipëri

Nga Rita Strakosha

Disa vende europiane ofruan asistencë për viktimat e përmbytjeve në Shqipëri gjatë muajit Dhjetor. 21,000 njerëz kanë pasur nevojë për ndihmë, nga të cilët 8000, në jug të Shqipërisë, janë të prekur më rëndë.

Disa vende europiane ofruan asisentë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, në bashkëpunim të ngushtë më autoritetet shqiptare.

Ndihma erdhi nga Greqia, Sllovenia, Austria, Franca dhe Sllovakia përmes Qendrës së Koordinimit të Përgjigjes ndaj Emergjencave. Përveç kësaj, Komisioni Europian dha asistencë emergjence prej 190,000 eurosh. Financimi është pjesë e kontributit të BE-së në Fondin e Emergjencës për Përgjigjen ndaj Fatkeqësive (Disaster Relief Emergency Fund-DREF) të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit dhe Hënës së Kuqe-IFRC.

Shqipëria shprehu falenderimin e saj ndaj vendeve të BE-së të cilat treguan solidaritet dhe dhanë ndihmë, në një ceremoni të mbajtur në 15 Dhjetor në Tiranë.

BE-ja ka gjithashtu një program “EU Aid volunteers”, në kuadër të të cilit mbështet financiarisht vullnetarë profesionistë nga BE për të punuar në vendet në zhvillim në ndihmë të shtresave në nevojë apo në projekte humanitare. Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare është duke aplikuar për tu bërë organizatë pritëse në kuadër të këtij programi.

Posted in Lajme | Leave a comment

Dita ndërkombëtare e të drejtave të fëmijëve

 

 

 

 

20 Nëntori është dita ndërkombëtare e të drejtave të fëmijëve, e shpallur nga OKB-ja. Në këtë ditë, në vitin 1959, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së aprovoi Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve. Po këtë ditë, në vitin 1989, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së aprovoi Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.

Kjo ditë shërben për të kujtuar rëndësinë që kanë fëmijët për të ardhmen e vendit, për të kritikuar mungesën e kujdesit shëndetësor, edukativ apo mungesën e sigurisë ushqimore për fëmijët si në Shqipëri dhe në të gjithë botën.

NCCS i ka kushtuar një rëndësi të vecantë fëmijëve në gjithë aktivitetet e saj. Këtë vit ajo ka trajnuar mbi 200 prindër, mbi 500 fëmijë mbi prindërimin pozitiv; ka ofruar këshillime individuale falas për prindërit me problematika në prindërim; ka transmetuar me dhjetëra herë dhe ka shpërndarë në Youtube një spot televiziv për prindërimin pozitiv “Fëmija imiton, bëhu shembull pozitiv”, dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, ka botuar një manual “Prindërimi Pozitiv i Adoleshentëve”. Kjo është bërë e mundur në sajë të donatorit, Bashkimit Europian, dhe shoqatave mbështetëse, Save the Children dhe Terre des Hommes.

Puna e NCCS-së për fëmijët dhe me fëmijët vazhdon. Objektivi ynë është të pakësojmë dhunën ndaj fëmijëve si në familje, dhe në shoqëri, dhe të kontribuojmë në krijimin e një mjedisi optimal për zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve.

Posted in Uncategorized | Leave a comment