Rekomandime për Bashkinë Elbasan mbi menaxhimin e mbetjeve

Qendra Kombëtare Për Shërbime Komunitare në kuadër të monitorimit të menaxhimit të mbetjeve nga bashkia Elbasan ka konstatuar disa problematika të menaxhimit të mbetjeve, për të cilat i ka ofruar këto rekomandime bashkisë në një letër zyrtare:

  1. Aprovimi i planit vendor të menaxhimit të integruar të mbetjeve

Që prej vitit 1994 grumbullimi dhe trajtimi i mbetjeve dhe shërbimet e tjera të pastrimit i janë deleguar autoriteteve lokale, duke i bërë këto të fundit përgjegjëse për manaxhimin e tyre dhe njëkohësisht, duke u siguruar financimin nga qeverisja qendrore me anë të “granteve të pakushtëzuara”. Hartimi i planit vendor nga Njësitë e Qeverisje vendore është një detyrim ligjor i përcaktuar nga Ligji i ri nr.10 463, datë 22.09.2011 “Për manaxhimin e integruar të mbetjeve”. Sipas nenit 12, pika 2 “Çdo njësi e qeverisjes vendore apo grup njësish të qeverisjes vendore harton planin vendor të menaxhimit të integruar të mbetjeve për territorin që ka nën juridiksion, në përputhje me planin kombëtar dhe planin rajonal të menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe me kërkesat e nenit 10 të këtij ligji”. Elbasani nuk ka një plan të tillë vendor të aprovuar. Qytete të tjera të mëdha, si Durrësi, Tirana kanë përparuar me aprovimin e planeve vendore.

Rekomandim: Bashkia e Elbasanit të aprovojë planin vendor të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

2. Riciklimi i mbetjeve nga incineratori

Të gjitha mbetjet urbane të Elbasanit, si të riciklueshmet, edhe të pariciklueshmet, përfundojnë sot në incinerator. Bashkia e ka të ndaluar të çojë mbetjet e riciklueshme në operator tjetër përveç incineratorit.

VKM-ja nr. 178, viti 2012, “Për incinerimin e mbetjeve”, përcakton se leja mjedisore jepet pasi incineratori ka garantuar se do të riciklojë mbetjet aty ku është e mundur (me riciklim nuk kuptohet djegja e mbetjeve, qoftë dhe për prodhim energjie).

Gjithashtu në vlerësimin paraprak mjedisor të incineratorit në Elbasan, propozohet që incineratori të bashkëpunojë me bashkinë për projekte riciklimi.

Në kontratën e konçesionit konçesionarit i kërkohet ti trajtojë mbetjet urbane në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe praktikat e mira industriale. Nëse i shkel detyrimet për më shumë se 6 muaj, kontrata e konçesionit mund të zgjidhet.

Në qytetet europiane ku ka incineratorë, në djegje përfundojnë vetëm mbetjet e pariciklueshme, në terma profesionalë “mbetjet teprica” (residual waste). Në Komunikimin e Komisionit Europian për prodhimin e energjisë nga mbetjet, nxjerrë në 1 Janar 2017, theksohet se incinerimi realizohet vetëm për mbetjet e pariciklueshme dhe se ndërtimi i incineratorëve duhet gjithmonë të respektojë hierarkinë e preferencave, ku pakësimi i mbetjeve dhe riciklimi janë të parat në radhë.

Kjo është edhe fryma e Ligjit nr. 10463, viti 2011, “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, i cili, në hierarkinë e trajtimit të mbetjeve, riciklimin e ka vendosur përpara rekuperimit për energji.

Pra është detyra e incineratorit që mbetjet e riciklueshme ti ndajë dhe ti çojë për riciklim, kurse ato të pariciklueshmet ti djegë për prodhim energjie.

Por sipas të dhënave nga ricikluesit, të cilët duan të mbeten anonim, kompania menaxhuese e inineratorit i djeg të gjitha mbetejet, edhe ato që janë të riciklueshme. Kjo është shkelje e legjislacionit mjedisor dhe e praktikave të mira industriale.

Rekomandim: Bashkia të monitorojë nëpërmjet policisë bashkiake respektimin e legjislacionit mbi mbetjet nga incineratori dhe të raportojë në organet kompetente për marrjen e masave.

 3. Grumbullimi i diferencuar i mbetjeve nga bashkia

Sipas ligjit nr. 10463, date 22.9.2011 “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, njësitë e qeverisjes vendore grumbullojnë në mënyrë të diferencuar mbetjet, brenda 31 dhjetorit 2018, të paktën për këto rryma mbetjesh: letër, metal, plastikë dhe qelq.

Bashkia sot nuk ka asnjë kontejner mbetjesh të diferencuar. Ndërtimi i incineratorit nuk është justifikim për këtë plogështi të bashkisë, sepse siç e shpjeguam më lart, edhe incineratori ka detyrimin ligjor të riciklojë mbetjet e riciklueshme dhe të djegë mbetjet reziduale.

Bashkia e Rekomandim: Bashkia të fillojë projekte pilot të grumbullimit të diferencuar të mbetjeve për të plotësuar në kohë afatin e Dhjetor 2018.

4. Përmirësimi i mbulimit me shërbim të territorit

Fshatra të tërë në Elbasan nuk mbulohen me shërbimin e pastrimit. Shumë nga njësitë administrative vuajnë mungesën e kazanëve të mbeturinave. Në njësinë Gjergjan, banorët ankohen se mbetjet pastrohen shumë rrallë dhe kazanët mungojnë fare. Ndërkohë në Papër edhe pse ekzistojnë kazanët, në pjesën më të madhe ato janë të dëmtuar dhe banorët ankohen se mjeti i pastrimit vjen shumë rrallë, gati një herë në muaj.

E njëjta situatë është edhe në Labinot-Fushë. Si një njësi me shumë biznese shërbimi, kazanët e mbetjeve i ka të domosdoshme por nga një vëzhgim i thjeshtë ato mungojnë tërësisht. Për pastrimin e rrallë të mbetjeve ankohen edhe banorët e Shirgjanit që janë edhe më pranë ndërmarrjes së pastrimit të bashkisë.

Rekomandim: Të përmirësohet treguesi i mbulimit të territorit me shërbim dhe të shtrihet shërbimi në fshatrat ku mungon.

 5. Rritja e transparencës së punës së bashkisë

Kërkesat e QKShK-së për informacion të nisura bashkisë gjatë vitit 2016 dhe 2017, në zbatim të ligjit 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, nuk janë zbatuar, pavarësisht ankimimit tonë tek Komisioneri i të Drejtës së Informimit. Përgjigjet e dhëna nga bashkia kanë qenë me informacion të cunguar që nuk i plotësonte aspak kërkesat tona.

Në lidhje me informacionin e publikuar në uebsitin e bashkisë:

  • Bashkia ka publikuar buxhetet nga viti 2008, por jo raportet vjetore, nga ku mund të marrim informacion mbi buxhetin faktik të pastrimit.
  • Informacion për kontratat konçesionare, përfshirë kontratën e grumbullimit të mbetjeve, për shumën dhe shërbimet konçesionare, nuk ka.
  • Informacion për taksat, përfshirë taksën e pastrimit, nuk ka.
  • Teksti i vendimeve bashkiake nuk është. Ka vetëm një listë me titujt e vendimeve.

Këto informacione janë të detyrueshme për tu publikuar në faqen e internetit të bashkisë sipas ligjit për të drejtën e informimit.

Rekomandim: Bashkia e Durrësit të shtojë transparencën me publikun dhe të zbatojë Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e Informimit”.

6. Përmirësimi i proçesit të prokurimeve të shërbimeve të pastrimit

 Bashkia e Elbasanit i prokuron shërbimet e pastrimit tek kompanitë private.

Në disa raste shërbimet janë prokuruar në tender me negocim të drejtpërdrejtë, pa garë. Këto lloj tenderash janë të ekspozuar ndaj kurrupsionit, pa efiçencë buxhetore, dhe janë shënuar me „flamur të kuq“ në databazën e të dhënave të www.operprocurement.al:

Përmendim tenderat:

  • Datë 8.07.2016, për kryerjen e shërbimit të pastrimit në qytetin e Elbasanit për periudhën 11.07.2016 deri 10.08.2016;
  • Datë 9.06.2016, për kryerjen e shërbimit të pastrimit për periudhën 10.06.2016 deri 10.07.2016;
  • Datë 29.04.2016, për kryerjen e shërbimit të pastrimit për periudhën 01.03.2016 deri 30.04.2016;
  • Datë 29.02.2016 për kryerjen e shërbimit të pastrimit për periudhën 01.03.2016 deri 30.04.2016.
  • Datë 31.12.2015 për kryerja e shërbimit të pastrimit për periudhën 01.01.2016 deri 29.02.2016
  • Datë 30.10.2015, për kryerjen e shërbimit të pastrimit periudhën 01.11.2015 deri 31.12.2015.

Përdorimi i tenderave të tillë mund të ketë kontribuar në rritjen graduale dhe dyfishimin e shpenzimeve të bashkisë për pastrimin në vitin 2015 në krahasim me vitin 2008. Nëse në vitin 2008 shpenzimet për pastrimin ishin ~63 milion lekë, në vitin 2015 këto shpenzime ishin 137 milion lekë.

7. Pakësimi i mbetjeve

Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve Urbane, 2010-2025, ka objektiva për riciklimin, reduktimin e mbetjeve, si psh. riciklimin e plastikës me 20% brenda vitit 2015, e 40% brenda vitit 2020, si dhe objektiva të ngjashëm për mbetjet e tjera.

Me djegjen e gjithë mbetjeve në Elbasan dhe daljen nga puna të ricikluesve, duket se bashkia e Elbasanit ka bërë hapa prapa në lidhje me këto objektiva. Nuk ka asnjë informacion publik se çfarë ka bërë deri tani bashkia e Elbasanit për ti realizuar.

Rekomandim: Informacioni mbi arritjet ose dështimet në zbatimin e objektivave të përcaktuara nga Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve Urbane dhe aktet e tjera ligjore mbi menaxhimin e mbetjeve, të publikohet në uebsitin e Bashkisë Elbasan.

8. Mbështetja sociale e ricikluesve informalë  

 Janë me dhjetra-qindra grumbullues informalë mbetjesh, jetesa e të cilëve mund të preket nga ekskluziviteti i incineratorit për mbetjet e bashkisë Elbasan.

Më parë ricikluesve u ishte dhënë garancia nga Bashkia Elbasan se nuk do prekeshin interesat e tyre pas vënies në punë të inineratorit, pasi vendi ka nevojë për riciklim dhe jo gjithçka do digjej. Sipas disa ricikluesve situata është gati të degradojë në konflikt midis palëve të përfshira.

Mbetet e paqartë cili do të jetë fati i ricikluesve informalë. Mbetja e tyre pa punë nuk është në interesin e komunitetit, për shkak të pasojave të rënda sociale që do të sjellë.

Rekomandim: Bashkia e Elbasanit të përfshijë në programe sociale, riaftësimi komunitetin e ricikluesve informalë.

Në fshatrat ku Bashkia e Elbasanit sot nuk ofron shërbim pastrimi, të marrë në konsideratë hyrjen në një marrëveshje më bizneset sociale/kooperativat e romëve për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.

Zonat periferike të mbuluara nga bizneset sociale rome mund të përfshihen në një skemë më vete tarife pastrimi, me tarifë më të ulët, të rënë dakort mes kryetarëve të fshatrave, bashkisë dhe kooperativës rome. Tarifa më e ulët e pastrimit mund të përmirësojë treguesin e mbledhjes së tarifës dhe efikasitetin e skemës.

9. Përdorimi i qeseve plastike nga njësitë tregëtare

Sipas VKM-së nr. 177, date 6.3.2012 “Për ambalazhet dhe mbetjet e tyre”, kapitulli XV, pika 5, njësitë tregëtare e kanë të ndaluar përdorimin e qeseve të pabiodegradueshme. Qeset e biodegradueshme e kanë të detyrueshme vendosjen mbi to të shenjës identifikuese. Nga verifikimi ynë në terren nuk rezulton të ketë njësi tregëtare që të përdorin qese të biodegradueshme.

Rekomandim:

Sugjerojmë për bashkinë 2 mundësi aksioni:

– Policia bashkiake të identifikojë në terren njësitë tregëtare që nuk respektojnë VKM-në për amballazhet dhe të raportojë tek inspektoriati I mjedisit për ndjekje të mëtejshme të problematikës.

-Bashkia e Elbasanit të hyjë në marrëveshje me njësitë tregëtare, duke ndjekur shembullin e bashkisë së Tiranës, për vendosjen e një çmimi për çdo qese që u jepet blerësve në njësitë tregëtare. Kjo marrëveshje po funksionon me sukses në njësitë tregëtare të Tiranës.

Në tërësi mendojmë se menaxhimi i mbetjeve është një shërbim publik që meriton më shumë vëmendje nga bashkia Elbasan.

Advertisements
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s