Rekomandime për bashkinë Durrës për menaxhimin e mbetjeve urbane

Prej muajit Nëntor QKShK (NCCS) është duke realizuar një projekt për monitorimin e menaxhimit të mbetjeve nga bashkia Durrës. Në kuadër të monitorimit kemi konstatuar disa problematika të menaxhimit të mbetjeve, për të cilat dëshirojmë të ofrojmë rekomandimet tona.

  1. Rrethimi i vend-depozitimit në Porto-Romano.

Nga verifikimet në terren kemi konstatuar kullotjen në masë të derrave në vendgrumbullimin e mbetjeve në Porto-Romano, çka përbën një rrezik për shëndetin publik. Rekomandojmë që bashkia të investojë për rrethimin e venddepozitimit të mbetjeve, si masë urgjente për shëndetin publik. Jemi në dijeni të faktit që pritet ndërtimi i një landfilli të ri në Durrës, por sipas një deklarate të kryetarit të bashkisë të fund-vitit 2016, do të duhen vite përpara se të ndërtohet ky landfill. Ndërkohë rreziku nga mos-rrethimi për shëndetin publik është më urgjent.

Sipas deklaratave të bashkisë, ajo ka fonde të kufizuara për rehabilitimin e venddepozitimit aktual. Aktualisht Durrësi ka kryer investime të mëdha në gjelbërimin publik, sidomos në palma, të cilat sipas informacioneve më të fundit, janë tharë në një pjesë të konsiderueshme.

Nqs. Bashkia po konsideron blerjen e palmave të reja, sugjerojmë që këto fonde të mos përdoren për palma, por të lihen mënjanë për rrethimin e fushes së mbetjeve të Durrësit.

Rekomandim: Të fillohet rrethimi i vend-depozitimit të mbetjeve në Porto-Romano dhe të mos lejohet hyrja e personave të autorizuar si masë urgjente për mbrojtjen e shëndetit publik dhe për parandalimin e aksidenteve.

2. Ndalimi i djegjes së mbetjeve

Ka raportime në media për djegjen e mbetjeve në venddepozitimin e Porto Romanos. Kjo djegie është bërë problem i madh sidomos për kampusin studentor i cili ndodhet pranë kësaj fushe të shkarkimit të mbetjeve.

Djegja e mbetjeve është e ndaluar nga ligji nr. 10463, datë , datë 22.9.2011 „Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve“.

Rekomandim: Policia bashkiake të konstatojë dhe raportojë tek autoritetet kompetente rastet e djegjeve të paligjshme të mbetjeve.

3. Blerja dhe vendosja e një urë peshoreje në venddepozitimin e mbetjeve

Nuk ka asnjë informacion të saktë mbi sasinë e mbetjeve që depozitohen në vendgrumbullimin e mbetjeve në Porto-Romano. Referuar VKM-së  nr.687, datë 29.07.2015, “Për miratimin për mbajtjen, përditësimin dhe publikimin e statistikave të mbetjeve” bashkia ka detyrim ligjor mbajtjen dhe bërjen publike të këtyre statistikave.

Mbi bazën e gjenerimit të mbetjeve për banor bashkia përcakton dhe fondet e nevojshme për grumbullimin e mbetjeve si dhe tarifën e pastrimit për familjet dhe bizneset. Matja e mbetjeve në venddepozitim ndihmon dhe në identifikimin e rasteve kur mbetjet depozitohen në vendgrumbullime të paligjshme. Blerja e një peshoreje industriale do të ndihmonte në menaxhimin më të mirë të mbetjeve nga bashkia dhe është identifikuar si një problem për tu zgjidhur në Planin Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve Urbane të Durrësit, 2010-2025.

Rekomandim: Të blihet dhe të vendoset një urë-peshore në vend-depozitimin e mbetjeve në Porto Romano.

4. Mungesa e investimeve në kontejnerët e mbetjeve

Nga verifikimi i kontenierëve të mbetjeve në mbi 10 qytete të vendit, na rezulton që bashkia e Durrësit të ketë kontejnerët më të amortizuar të mbetjeve në gjithë Shqipërinë. Kjo e njollos imazhin e Durrësit si qytet turistik dhe mikëpritës të qindra mijëra turistëve në vit. Amortizimi i kontenierëve përllogaritet të jetë 15% në vit, çka nevojit zëvendësim të herëpashershëm të tyre.

Megjithë nevojat urgjente për të investuar në menaxhimin e mbetjeve, Bashkia e Durrësit ka preferuar të investojë miliona lekë në gjelbërimin me palma, të cilat tashmë në një pjesë të mirë janë tharë nga ngricat e fundit.

Nisur nga reforma territoriale, Bashkia e Durrësit do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e mbetjeve në territore të reja, të cilat janë zona më pak të urbanizuara dhe me mungesa më të theksuara në menaxhim.

Rekomandim: Bashkia e Durrësit të bëjë një studim për nevojën për kontejnerë mbetjesh në të gjithë territorin që ajo përfshin.  Të investohet në blerjen e kontejnerëve të rinj të mbetjeve.

5. Niveli i ulët i mbledhjes së tarifes së pastrimit

Tarifë e pastrimit nga familjet në vitin 2015-ën është mbledhur vetëm në masën 20% (sipas të dhënave të publikuara në faqen e bashkisë). Ky është një përmirësim në krahasim me vitet e mëparshme, kur mblidhej edhe më pak nga familjet (8% e tarifës së pastrimit), por gjithsesi mbetet në nivele shumë të ulëta në krahasim me bashkitë e tjera.

Bashkia e Shkodrës për vitin 2015 ka realizuar 78% të të ardhurave nga taksa e pastrimit për familjarët (megjithëse me një tarifë më të lartë pastrimi prej 3000 lekësh), kurse bashkia e Tiranës për vitin 2013 ka realizuar 67% të të ardhurave nga po kjo taksë.

Në auditimin e ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2015, bashkisë Durrës i këshillohet që në bashkëpunim me OSHEE-në të përfshijë në faturën e energjisë elektrike tarifën e pastrimit dhe tarifat e tjera, nisur nga mbledhja e dobët e tarifave mbi familjarët.  Tarifa e pastrimit nuk është përfshirë ende në faturën e energjisë elektrike.

Pavarësisht realizimit të dobët, me paketën fiskale 2014, Bashkia e Durrësit e rriti nivelin e tarifës nga 1000 lek në 2300 lek. Në kushtet kur vetëm 20% e tarifës mblidhet nga familjet, kjo rritje nuk është e drejtë për familjet që paguajnë dhe mund të shtojë edhe më shumë hezitimin e tyre për të paguar.

Rekomandim: Të përmirësohet treguesi i mbledhjes së tarifës së pastrimit nga familjet.

6. Riciklimi i mbetjeve

Sipas ligjit nr. 10463, date 22.9.2011 “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, njësitë e qeverisjes vendore grumbullojnë në mënyrë të diferencuar mbetjet, brenda 31 dhjetorit 2018, të paktën për këto rryma mbetjesh: letër, metal, plastikë dhe qelq.

Bashkia e Durrësit nuk ka arritur të fillojë grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në asnjë lagje apo zonë pilot të Durrësit. Përdorimi i koshave të diferencuar mund të fillojë në lagje pilot për tu shpërndarë më tej në lagjet më periferike, siç po realizohet në bashkinë e Tiranës. Edukimi i qytetarëve për riciklimin e diferencuar do të kërkojë kohë të konsiderueshme, dhe sipas ligjit, grumbullimi i diferencuar do të duhet të jetë në fuqi dhe brenda rreth 18 muajsh.

Rekomandim: Të fillohet zbatimi i grumbullimit të diferencuar të mbetjeve në zona pilot të Durrësit, duke përdorur masmedian për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe gjobat si mjete edukuese.

7. Bashkëpunimi me komunitetin rom për riciklimin e mbetjeve                 

Komuniteti rom ka një histori të gjatë të punës me riciklimin e mbetjeve, experiencë të cilën bashkia mund ta shfrytëzojë për realizimin më efikas të riciklimit. Bashkia e Durrësit ka vendosur privatizimin e Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale Durrës dhe pritshmëritë janë që grumbullimi i diferencuar i mbetjeve të realizohet nga kompania konçesionare. Mbetet e paqartë cili do të jetë fati i romëve që aktualisht grumbullojnë mbetjet e riciklueshme në Durrës. Mbetja e tyre pa punë nuk është në interesin e komunitetit, për shkak të pasojave të rënda sociale që do të sjellë.

Rekomandim:

Sugjerojmë përfshirjen e një klauzole në kontratën e ardhshme të konçesionit për grumbullimin e mbetjeve, për detyrimin e kompanisë konçesionare që të punësojë anëtarë të komunitetit rom.

Si alternativë, në lagjet periferike të Durrësit, ku grumbullimi i ricikluar i mbetjeve nga një kompani konçesionare mund të rezultojë me kosto të lartë, Bashkia e Durrësit mund të marrë në konsideratë hyrjen në një marrëveshje më bizneset sociale/kooperativa të romëve për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.

Zonat periferike të mbuluara nga shoqatat rome mund të përfshihen në një skemë më vete tarife pastrimi, me tarifë më të ulët, të rënë dakort mes kryetarëve të fshatrave, bashkisë dhe kooperativës rome.

 8. Përdorimi i qeseve plastike nga njësitë tregëtare

Sipas VKM-së nr. 177, date 6.3.2012 “Për ambalazhet dhe mbetjet e tyre”, kapitulli XV, pika 5, njësitë tregëtare e kanë të ndaluar përdorimin e qeseve të pabiodegradueshme. Qeset e biodegradueshme e kanë të detyrueshme vendosjen mbi to të shenjës identifikuese. Nga verifikimi ynë në terren nuk rezulton të ketë asnjë njësi tregëtare që të përdorë qese të biodegradueshme.

Rekomandim:

Sugjerojmë për bashkinë 2 mundësi aksioni:

– Policia bashkiake të identifikojë në terren njësitë tregëtare që nuk respektojnë VKM-në për amballazhet dhe të raportojë tek inspektoriati I mjedisit për ndjekje të mëtejshme të problematikës.

-Bashkia e Durrësit të hyjë në marrëveshje me njësitë tregëtare, duke ndjekur shembullin e bashkisë së Tiranës, për vendosjen e një çmimi për çdo qese që u jepet blerësve në njësitë tregëtare. Kjo marrëveshje po funksionon me sukses në njësitë tregëtare të Tiranës.

9. Ndryshimi i Planit Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve

Që prej vitit 1994 grumbullimi dhe trajtimi i mbetjeve dhe shërbimet e tjera të pastrimit i janë deleguar autoriteteve lokale, duke i bërë këto të fundit përgjegjëse për manaxhimin e tyre dhe njëkohësisht, duke u siguruar financimin nga qeverisja qendrore me anë të “granteve të pakushtëzuara”. Hartimi i planit vendor nga Njësitë e Qeverisje vendore është një detyrim ligjor i përcaktuar nga Ligji i ri nr.10 463, datë 22.09.2011 “Për manaxhimin e integruar të mbetjeve”, ku në nenin 12, pika 2 citohet:  Çdo njësi e qeverisjes vendore apo grup njësish të qeverisjes vendore harton planin vendor të menaxhimit të integruar të mbetjeve për territorin që ka nën juridiksion, në përputhje me planin kombëtar dhe planin rajonal të menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe me kërkesat e nenit 10 të këtij ligji. Durrësi e ka aprovuar një Plan Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve, 2010-2025, por ky plan nuk pasqyron ndryshimin e sipërfaqes dhe administrimit të Bashkisë Durrës për shkak të ndarjes se re administrativo-territoriale.

Rekomandim: Ndryshimi i Planit Lokal të Menaxhimit të Mbetjeve për të pasqyruar kërkesat e reja të reformës administrativo-territoriale.

10. Rritja e transparencës së punës së bashkisë

Kërkesat e QKShK-së për informacion gjatë vitit 2016 dhe 2017 janë zbatuar me vonesë nga stafi i bashkisë, pa respektuar afatin 10 ditor të përgjigjes. Nëse kjo vonesë vjen për shkak të kërkesave të shumta për informacion nga qytetarët, bashkia mund të shtojë informacionin publik në uebsitin e saj.

Në faqen e internetit të bashkisë mungojnë buxheti i plotë, i aprovuar dhe faktik ndër vite. Buletini statistikor i bashkisë ka informacione të hollësishme mbi zëra të ndryshëm të buxhetit, por jo një buxhet të plotë, i cili të bëjë të mundur analizimin të thelluar dhe krahasimin e tij me buxhetet a bashkive të tjera të publikuara në faqet e tyre të internetit.

Këto informacione janë të detyrueshme për tu publikuar në faqen e internetit të bashkisë sipas ligjit për të drejtën e informimit. Në uebsitet e disa bashkive ka një dritare të posacme për buxhetet ndër vite, çka e lehtëson shumë marrjen e informacionit.

Rekomandim: Bashkia e Durrësit të krijojë një hapësirë të veçantë dhe të posaçme në uebsitin e saj, për buxhetet e aprovuara dhe faktike ndër vite.

11. Pakësimi i mbetjeve

Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve Urbane, 2010-2025, ka objektiva për riciklimin, reduktimin e mbetjeve, si psh. riciklimin e plastikës me 20% brenda vitit 2015, e 40% brenda vitit 2020, si dhe objektiva të ngjashëm për mbetjet e tjera.

Gjithashtu, sipas VKM-së nr. 452, datë 11.07.2012 „Për Lendfillet e mbetjeve“, paragrafi 34:

Jo më vonë se pesë 5 (pesë) vjet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi mbetjet bashkiake të biodegradueshme që shkojnë në lendfill pakësohen në (janë sa) 75% të sasisë totale (sipas peshës) të mbetjeve bashkiake të biodegradueshme, të gjeneruara në vitin 2010.

Bashkia e Durrësit nuk ka ende lendfill, por kjo kërkesë zbatohet për analogji për venddepozitimin aktual të mbetjeve në Porto Romano.

Nuk ka informacion publik se si po i realizon Bashkia e Durrësit këto objektiva, por duket të jetë larg, nisur nga mungesa e masave për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve.

Rekomandim: Informacioni mbi arritjet ose dështimet në zbatimin e objektivave të përcaktuara nga Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve Urbane dhe aktet e tjera ligjore mbi menaxhimin e mbetjeve, të përfshihet në Buletinin Statistikor të publikuar çdo vit nga Bashkia, në kapitullin për punën e ndërmarrjeve të shërbimeve komunale.

Në tërësi mendojmë se menaxhimi i mbetjeve është një shërbim publik që nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga bashkia e Durrësit.

Advertisements
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s