Suksesi i Rrejshëm i Grave Shqiptare

MONIKA SHOSHORI STAFA (botuar në Gazetën Shqip)

Monika Shoshori StafaPak kohë më parë m’u desh të përmbyllja një studim të detajuar mbi numrin e komuniteteve në zonën juglindore të vendit. Organizata e huaj ishte përqendruar pikërisht aty dhe kryesisht kjo zonë ka pasur tërheqjen e ndërkombëtareve sa herë është dashur të dihet një lloj kampioni lidhur mbi një problem social të shoqërisë shqiptare, të themi qasja ndaj romëve, sjellja ndaj jetimëve apo dhe gratë e dhunuara. Janë më qindra sot të themi organizatat jofitimprurëse që janë shpërndarë në mbarë vendin duke iu referuar kryesisht krahinës. Por dhe veriu nuk ka mbetur prapa. Interesant ka qenë fokusi kryesisht te komunitetet e margjinalizuara sidomos në zonën e Kukësit apo të Shkodrës. Të dhënat e UNICEF-it, por dhe të degëve të tjera të OKB-së jo pa qëllim vazhdimisht sundonin në këto zona. Në studimet e tyre dhe përfundimet gjithaq, ata i janë referuar kryesisht dallimit etnokulturor si një dukuri që ka ndikuar kryekëput ndaj qasjeve sociale që ata kanë në jetën e tyre të përditshme dhe krahasimi mes kësaj zone dhe tjetrës megjithëse të duket apriori e ndryshme nuk është aspak e tillë.

Nëse do të të shkonte ndonjëherë mendja për t’u përfaqësuar me një organizatë patjetër pyetja tinëzare që do të vinte përballë si rrebesh do të ishte, pse s’i bën me fokus gratë? Nuk kish si ndodhte ndryshe. Në shoqërinë shqiptare nuk ka shpikje gjeniale. Por termi “gratë’ kaq shumë i konsumuar në politikën shqiptare ia ka gërryer brenda fuqinë e vërtetë e që me të drejtë atyre u takon sa duket ndonjëherë se mund të blihen lehtë.

Mbi gjysma e popullsisë sot në botë është e gjinisë femër, por ato ende padrejtësisht trajtohen nën një ekuilibër jo të drejtë me gjininë tjetër. Dhe kjo ka nisur që herët të ngrihet si sistem. Asnjë shoqëri nuk mund të jetë kaq e kursyer ndaj dhënies prestigj dhe vend në shtresat e saj sa kryesisht, thuajse tërësisht i bëhet gruas, si një gjini e shtuar mes saj. Megjithëse nuk ka rëndësi sa e gjatë dhe e vështirë ka qenë lufta për të drejtat e tyre, ndërsa disa vende duhet ta pranojmë se janë më mirë se të tjerët, vajzat dhe gratë ende vazhdojnë të trajtohen më keq në të gjitha aspektet krahasuar me burrat. Arsimi, shëndetësia, punësimi, dhe statusi kujt klase i përket vazhdojnë të mbeten disa nga pengesat me të cilat përballen gratë dhe vajzat në botë. Duket se përtej imazhit të universiteteve në Budapest, Vjenë, Frankfurt, Paris, Lion e Romë çka fasada përtej do ta mësonit pas dialogëve mes sallave të konferencave ku disa padyshim është pak e kursyer ndaj këtij fenomeni.

Pabarazia gjinore nuk është vetëm një çështje diskutimi në vendet jo të industrializuara, por e tillë mbetet ajo që ende asnjë vend apo kulturë nuk ka qenë në gjendje t’i shpëtojë. Psikologjikisht kur bisedoj me mësues të ndryshëm kuptoj se edhe ndaj vajzave në klasë tregohet më pak vëmendje, sesa ndaj shokëve të tyre. Kjo lloj pabarazie gjinore në arsim, vazhdon të theksojë më shumë luftën mes dy gjinive edhe mandej ndaj zgjedhjeve të arsimimit. Dhe lufta më tej vazhdon si një spirale, e cila nuk përfundon kurrë brenda një rrethi që zgjerohet e zgjerohet nga familja, shkolla, punësimi e deri te familja e saj e re, duke i detyruar në shumësi ato të përballen me presionin shpeshherë edhe të dorëzimit të karrierës së tyre më shumë sesa meshkujt. Ka një çekuilibër të dukshëm gjinor në lidershipin politik në përgjithësi, megjithëse Shqipëria këtë vit zgjedhor përjetoi përzgjedhjen më shumë se norma të të zgjedhurave në krye të bashkive të rretheve. Kjo ishte një provë e dukshme lakmuesi që tregoi se shoqëria për imazh mund edhe të ngjyroset, por dhimbja mbetet ende shumë e madhe, thellë- thellë familjeve të gjithsecilës shoqe të tyre. Sepse në Kukës e Dukagjin, Has e Mat, Lekas e Mokër, Borsh e Qeparo vajzat mbeten më të margjinalizuarat edhe kur bëhet fjalë për modele të fuqishme suksesi brenda habitatit të tyre.

Lufta është e thellë dhe e gjatë. Operacioni nuk dihet ka nisur a jo, sa kohë fëmijët janë ata që për shembuj frymëzimi kanë ende mamën e tyre në shtëpi që vazhdon të jetojë në kushte dëshpërimisht të pabarabarta. E cikli kryen trajektoren e vet aq kohë sa vajza/ motra të ndihet se nuk ka alternativë tjetër për veten e saj. Ndërsa dhuna në familje është forma më e përhapur e abuzimit ndaj grave dhe vajzave, kjo mbetet ende një nga shumë sfidat me të cilat vajzat përballen në mënyrë disproporcionale krahasuar me djemtë. Dy ditë më parë u bë publik edhe raporti për të drejtat e njeriut nga Amnesty International, ku i vihej një rëndësi parësore dhe shkeljes së të drejtave të emigrantëve, sidomos atyre gra e vajza. Sipas këtij raporti, gruaja dhe fëmijët mbeten viktimat më së shumti të migrimit të detyruar, me 35 milionë refugjatë në mbarë botën, ku më shumë se 80% e tyre janë gra dhe fëmijë. Ndaj gjatë këtyre ditëve me nismën e drejtores së Qendrës Kombëtare të Shërbimeve Komunitare, Liliana Dango u lancua projekti “Së bashku për fuqizimin ekonomik të qëndrueshëm të grave të margjinalizuara”. Në takimin ku morën pjesë dhe zëvendësministrja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, znj. Bardhylka Kospiri, si dhe znj. Vasilika Hysi, deputete dhe drejtuese e nën-komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, u prezantuan objektivat kryesorë të projektit, ndër to trajnimi profesional i dhjetëra grave në nevojë (përfshirë gratë që kanë qenë në konflikt me ligjin), si dhe punësimi i tyre në vijimësi. Ky projekt u financua nga Philip Morris International Inc dhe zbatohet nga Qendra Kombëtare e Shërbimeve Komunitare. Në takim zëvendësministrja, znj. Kospiri, prezantoi punën e ministrisë në drejtim të fuqizimit ekonomik të grave në nevojë, ku vuri theksin në rëndësinë e formimit profesional të tyre për t’i përgatitur për tregun e punës. Deputetja Vasilika Hysi përmendi edhe potencialin e punësimit që ka në burgje. Bizneset janë të interesuara për të punësuar, por institucionet e burgjeve duhet të jenë më aktive në bashkëpunimin me biznesin në këtë drejtim, shtoi gjatë një bashkëbisedimi. Ndër të tjera u theksua se formimi profesional në burgje duhet të jetë më i shumëllojshëm, më i përshtatur me kërkesat e tregut. Drejtori i Philip Morris International për Shqipërinë, z. Coskun Dicle, prezantoi punën filantropike të PhM për mbështetjen e shoqërisë civile në 40 fusha, ku një ndër to është fuqizimi i gruas. Aty u përmend edhe hapja e qendrave të trajnimit profesional në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, ku punëkërkuesit e papunë mund të trajnohen falas. Trajnimet profesionale janë shtrirë dhe në burgje, kur për vitin 2015 mbi 300 të burgosur, nga të cilët 40% gra, janë përfshirë në trajnime. Në takim, gratë e punësuara në shërbime në familje u ankuan për mungesën e sigurimit si një ndër problemet më të rëndësishme të punësimit të tyre. Deputetja Hysi pranoi se sigurimi është problematik, por nga shtatori do të ketë fushatë kundër punësimit në të zezë, të ngjashme me fushatën kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

Ishte e vështirë për t’u dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve që u ngritën, përderisa sot edhe rolet e grave në prapaskenën e zhvillimeve soc-politike shqiptare nuk janë ato më të dëshirueshmet, e jo më të flitet për të kundërtën. Çështja mbetet më e thellë sesa mund të duket. Gjithë diskutimi sot është që këto grupe grash të margjinalizuara të mos përfaqësohen vazhdimisht vetëm nga rrjetet e tyre të brendshme, sepse çfarë vjen më pas? Asgjë më pak se një vetëveçim, që është një formë moderne e getoizimit. Një burrë i mençur ka shkruar se shkalla e emancipimit të një shoqërie matet me shkallën e emancipimit të gruas. Ishte atëherë, por është edhe tani. Nismat sigurisht nuk kanë munguar, por ajo çfarë duam ta jetësojmë është ende shumë larg.

Advertisements
This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s